Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara shpall planin për adresimin e ndikimit potencialisht shkatërrues social-ekonomik të COVID-19

Tuesday, 31 March, 2020

 

Ngrihet fondi global në mbështetje të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme

NJU JORK, 31 MARS 2020— Sëmundja e re e koronavirusit (COVID-19) po i sulmon shoqëritë në thelbin e tyre, duke marrë jetë dhe duke cenuar jetesën. Efektet potenciale në planin afatgjatë mbi ekonominë globale dhe atë të vendeve individuale janë shkatërruese.

Në një raport të ri, Përgjegjësi të përbashkëta, solidaritet global: Përgjigja ndaj ndikimit social-ekonomik të COVID-19, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara i bën thirrje të gjithëve që të veprojmë së bashku për adresimin e këtij ndikimi dhe për të zvogëluar efektet shkatërruese ndaj njerëzve.

Në këtë raport përshkruhet shpejtësia dhe përmasat e këtij shpërthimi, shkalla e rasteve, efektet në shoqëri dhe në ekonomi të COVID-19, i cili ka marrë deri tani jetën e 33 257 personave, ndërkohë që konfirmohen 697 244 në 204 vende/zona dhe territore.

“COVID-19 është prova më e madhe që kemi hasur të gjithë bashkë që prej krijimit të Kombeve të Bashkuara”, tha António Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. “Kjo krizë kërkon një veprim të koordinuar, vendimtar, gjithëpërfshirës dhe novator nga ekonomitë lidere të botës – si dhe mbështetje financiare dhe teknike maksimale për popujt dhe vendet më të varfër dhe ata më vulnerabël.”

Ky raport vjen pas shpalljes nga FMN-ja se bota ka hyrë në një recesion po aq të madh, në mos më të madh, sesa ai i vitit 2009. Ky raport bën thirrje për një reagim të koordinuar dhe gjithëpërfshirës të shumë palëve në një shkallë të madhe që shkon të paktën në 10 përqind të GDP-së globale.

Sistemi i Kombeve të Bashkuara - dhe rrjeti i tij global i zyrave rajonale, nënrajonale dhe në shkallë vendesh që punojnë për paqen, të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe masat humanitare, do të mbështesin të gjitha qeveritë dhe të gjithë partnerët përmes përgjigjes dhe rimëkëmbjes.

Për këtë qëllim, Sekretari i Përgjithshëm ka ngritur një Fond të dedikuar për Reagimin ndaj COVID-19 dhe Rikuperimin për të mbështetur përpjekjet e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Qasja e këtij fondi ka në themel OKB-në e reformuar që reagon në një mënyrë të koordinuar mes shumë agjencive dhe sektorëve për masa prioritare lokale dhe kombëtare për adresimin e ndikimit social-ekonomik të krizës së COVID-19. Ai do të mbështetet në lidershipin e Koordinatorëve dhe Ekipeve të OKB-së në shkallë vendesh, duke mbështetur dhe duke mundësuar qeveritë përkatëse në mënyrë të shpejtë në këtë proces krize dhe rikuperimi.

Udhërrëfyesi i përgjegjësisë së përbashkët dhe solidaritetit global kërkojnë:

  • Frenimin e transmetimit të virusit për të kontrolluar pandeminë.
  • Garantimin e jetëve të njerëzve dhe kushteve të tyre të jetesës.
  • Të mësuarin nga kjo krizë humanitare për t’u ringritur edhe më të fortë.

Frenimi i transmetimit të virusit për të kontrolluar pandeminë

Ky raport paralajmëron se nuk ka kohë për të humbur në krijimin e reagimit më të fortë që ka parë ndonjëherë bota në bashkëpunimin për mbrojtjen e shëndetit. Mbështetja më e fortë duhet t’u ofrohet përpjekjeve shumëpalëshe për frenimin e transmetimit dhe për t’i dhënë fund pandemisë, nën drejtimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në të njëjtën kohë, ka një nevojë shumë të madhe për bashkëpunim shkencor në kërkimet për një vaksinë dhe për terapi efikase. Kjo duhet të përkojë me garantimin e aksesit universal ndaj vaksinave dhe trajtimit.

Në këtë raport promovohet qasja më fokus njeriun që kërkon angazhimin e komuniteteve të prekura nga COVID-19, respektimin e të drejtave të njeriut dhe gjithëpërfshirjen, barazinë gjinore dhe dinjitetin për të gjithë.

Garantimi i jetëve dhe jetesës së njerëzve

Duke vlerësuar se epidemitë mund të ekspozojnë dhe të përkeqësojnë pabarazitë ekzistuese në shoqëri, udhërrëfyesi tregon se  amortizimi i efekteve të tërthorta në jetët e njerëzve, në jetesën e tyre dhe në ekonomi kanë për të qenë vendimtare.

Raporti vë në dukje shembuj masash që vendet mund të marrin, si ofrimi i drejtpërdrejtë i burimeve për të mbështetur punëtorët dhe familjet, ofrimi i sigurimit të shëndetit dhe ndihmës në rastet e papunësisë, përshkallëzimi i mbrojtjes sociale, si dhe mbështetja për bizneset për të mos lejuar falimentimet dhe humbjen e vendeve të punës.

Raporti thekson me forcë se gratë dhe vajzat duhet të kenë zërin e tyre në këtë përgjigje; si dhe duhet të garantohen mundësi për të rinjtë e prekur ndjeshëm.

Të mësojmë nga kjo krizë për t’u ringritur më të fortë

Bota do të përballet me disa zgjedhje në rikuperimin e saj. Do kthehemi në botën që kemi njohur më parë apo do të merremi njëherë e mirë me ato probleme që e bëjnë gjithkënd të prekshëm në mënyrë të panevojshme nga kjo krizë apo çfarëdolloj krize tjetër në të ardhmen.

Duke filluar që nga sistemet më të forta shëndetësore dhe njerëzit që jetojnë në varfëri ekstreme deri në arritjen e barazisë gjinore dhe marrjen e masave klimatike për një planet të shëndetshëm, raporti jep shpresë se mësimet e nxjerra nga kjo krizë e njerëzimit mund të çojnë në krijimin e shoqërive më të drejta dhe më të forta, si dhe në mbajtjen e premtimit për Agjendën 2030 dhe 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Partneritete për progres

Asnjë vend apo entitet nuk do të fitojë i vetëm kundër kësaj pandemie. Një përgjigje dhe rikuperim i suksesshëm kërkon bashkëpunim dhe partneritet ndërkombëtar në çdo nivel – marrjen e masave nga qeveritë për t’u qëndruar afër komuniteteve; angazhimin e sektorit privat për të gjetur rrugëdaljet nga kjo krizë. Partneritetet e mbështetura tek solidariteti kanë për të qenë guri i themelit të progresit.

Shoqëria Civile, gratë dhe organizatat në terren, organizatat me bazë komunitetin dhe organizatat fetare do të luajnë rol jetësor. Në ndihmën që do t’u jepet popullatave më të prekshme, këto rrjete janë aktive në ofrimin e mundësive ekonomike dhe mundësive të jetesës, si dhe në përshtatjen e reagimit sipas kontekstit të komunitetit. Këto organizata janë në shumë vende të botës të parat, në mos të vetmet, pikë reference për individët dhe familjet që përpiqen të përballojnë ndikimin e COVID-19 dhe rikuperimin në të ardhmen.

Thirrje për veprim

Pandemia e COVID-19 është një moment përcaktues për shoqërinë moderne dhe historia do të gjykojë efikasitetin e reagimit jo nga masat e çfarëdolloj numri aktorësh qeveritarë të marra veç e veç, por nga shkalla e koordinimit në nivel global të kësaj përgjigjeje në të gjithë sektorët për të mirën e familjes sonë njerëzore.

Kombet e Bashkuara dhe rrjeti i tyre global i zyrave rajonale, nënrajonale dhe në shkallë vendesh që punojnë për paqe, të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe veprimin humanitar, mbështetur nga mekanizmat e ngritur të koordinimit, do të punojnë me partnerët për të garantuar para së gjithash shpëtimin e jetëve, rikuperimin e jetesës, si dhe që ekonomia globale dhe njerëzit të cilëve ne ju shërbejmë të dalin edhe më të fortë nga kjo krizë.

Të 129 Koordinatorët Rezidentë të OKB-së dhe Ekipet e OKB-së në shkallë Vendesh do të ofrojnë mbështetje gjithëpërfshirëse në nivel politikash dhe në nivel operacional në shkallë kombëtare në mbështetje të të gjithë qasjes së shoqërive të ndryshme në vendet e tyre ndaj kësaj krize. Me veprimet e duhura pandemia COVID-19 mund të shënojë fillimin e një lloji të ri bashkëpunimi global dhe mes shoqërive.

Masat e rekomanduara për përballimin e ndikimit të COVID-19:

1. Masat globale duhet të përkojnë me shkallën e krizës

  • Të promovohet dhe të mbështetet zbatimi i një pakete novatore dhe të koordinuar stimuluese me në qendër njeriun, duke arritur një përqindje dyshifrore të produktit vendas bruto të botës.
  • T’i rezistohet tundimit për marrjen e masave proteksioniste.
  • Të merren masa të qarta për nxitjen e ekonomive të vendeve në zhvillim      

2. Mobilizim rajonal

Një qasje e koordinuar rajonale do të mundësojë shqyrtime kolektive të ndikimeve, koordinim të masave monetare, fiskale dhe sociale, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mësimeve të nxjerra.

  • Të miratohen politika tregtare QË NUK DËMTOJNË, të ruhen lidhjet dhe të garantohet një koordinim rajonal monetar dhe fiskal.
  • Të angazhohet sektori privat financiar për mbështetjen e bizneseve.
  • Të adresohen sfidat strukturore dhe të forcohet kuadri normativ për menaxhimin e risqeve ndërkufitare.

3. Solidariteti kombëtar është vendimtar për të mos lënë askënd pas

Pandemia po godet një ekonomi botërore të dobët dhe të brishtë edhe para saj. Rritja globale në vitin 2019 ishte ndërkohë më e ngadalta që prej krizës financiare globale të 2008/2009. Sipas vlerësimeve të ILO, bota mund të humbasë nga 5 deri në 25 milionë vende pune.

  • Të ndërmerren stimulime fiskale dhe të mbështeten më të prekshmit.
  • Të mbrohen të Drejtat e Njeriut dhe fokusi të vendoset tek gjithëpërfshirja.
  • Mbështetje për Sipërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
  • Mbështetja e punës dinjitoze.
  • Mbështetja e arsimit.
  • Mbështetja e masave për kohezionin social.

 

Përllogaritjet social-ekonomike të COVID-19 për vitin 2020 në mars 2020

 

5 - 25 milionë vende pune të humbura (ILO)

860 miliardë USD –3.4 trilionë USD humbje në të ardhurat nga puna (ILO)

30% -- 40% presioni në ulje mbi fluksin e investimeve të drejtpërdrejta globale të huaja (UNCTAD)

20% – 30% rënie të udhëtimeve ndërkombëtare (UNWTO)

3.6 miliardë njerëz offline (ITU)

1.5 miliardë studentë pa shkollë (UNESCO)

[FUND]

 

[1] Organizata Botërore e Shëndetësisë, 31 mars 2020.